Sot, për nderë të 28 Nëntorit, në qytetin e Fushë-Kosovës, u zbulua shtatorja e Komandantit Legjendar ‘Adem Jashari’. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin personalitete të shumta të vendit si; bacë Rifat Jashari, Bekim Jashari, myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava, kryetarë Komunash, deputetë, familje të dëshmorëve, pjesëmarrës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës, dhe shumë qytetarë të tjerë të vendit. Kësaj ceremonie, i dhanë madhështi edhe grupi i tifozërisë së qytetit ‘Pampurat’.
Në një fjalë rasti, Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës z. Burim Berisha, ndër të tjera tha: “Të nderuar të pranishëm, sot kemi një ditë të veqantë – 28 Nëntorin. Urime të gjithë shqiptarëve kudo që janë Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ditën e Flamurit kombëtar. Në të njëjtën kohë, shprehim ngushëllime dhe solidaritet për të gjitha viktimat që i mori tërmeti në Shqipëri. Është një mobilizim i tërë i popullit shqiptarë në Kosovë për t’i ndihmuar Shqipërisë.
Xhevdet Qiriqi është njëri prej atyre personaliteteve kryesore që ka marrë pjesë në ngritjen e këtij monumenti në qytetin e Fushë-Kosovës. Me zbulimin e këtij monumenti do ta shohim se këtu është përjetësuar figura më emblematike që njeh populli shqiptar. Këtu është përjetësuar dinjiteti i shqiptarëve, karakteri i shqiptarëve dhe liria e shqiptarëve. Këtu është përjetësuar lufta historike e popullit shqiptar të Kosovës dhe më gjerë për pavarësinë e Kosovës të cilën do ta kemi për jetë e mote.
Ky monument na përkujton se si duhet sakrifikuar për vendin tonë, andaj në emër të Institucioneve Komunale të Komunës së Fushë-Kosovës, si dhe në emrin tim personal , të gjithë shqiptarëve ua uroj festën e 28 Nëntorit. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë”.
Kryetari Berisha njoftoi se parku i qytetit të Fushë-Kosovës do të mbajë emrin “Adem Jashari”.