Me një tubim përkujtimor të organizuar nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u shënua 20 vjetori i masakrës së Fushë-Kosovës, i cili u mbajt në platonë pranë varrezave të martirëve.
Në fjalën e rastit të mbajtur nga zëvendëskryetari i Komunës, z. Fadil Krasniqi, ndër të tjera u tha: ‘Sot, së bashku, përkujtojmë me nderim të veçantë, dëshmorët dhe martirët e komunës së Fushë-Kosovës, pjesëtarët e familjeve Mirena, Krasniqi, Ramadani, Syla, Berbatovci, Behluli, Xheladini, Elmazi, Zogjani, Kelmendi, Berisha, Orllati, Ismaili, Shala, Hyseni, Konjusha, Hajdini, Pllana, Sekiraqa, Sfarqa etj., të cilët u gjendën të parët përball hakmarrjes së tmerrshme të forcave ushtarake e policore serbe.
Në këtë ditë, duke kujtuar të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë, në Fushë-Kosovë, por edhe në krejt Kosovën, bëhet betejë me mjete tjera, për zhvillim, për mirëqenie, për fëmijët tanë, për arsim e shëndetësi cilësore.
Ne kemi nevojë të jemi më të bashkuar se kurrë, ta çojmë amanetin e të parëve tanë, për të kontribuar që liria të jetë e pranishme në çdo sofër shqiptare.
Kemi nevojë më shumë se kurrë për unitet, për përjetësimin e mirëfilltë të epokës së lirisë, për të arritur kombet demokratike me vlerat tona.
Ne kemi nevojë, por edhe po punojmë shumë, që sot Fushë-Kosova të jetë vend ku jetohet më mirë, ku mund t’i arsimojmë fëmijët tanë, ku mund të zhvillohemi në të gjitha fushat e jetës duke u bërë shembull i qeverisjes së mirë’.
Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, z.Jahja Lluka, në fjalën e tij tha se ‘Serbia është adresa e shumë krimeve që janë bërë në Kosovë. Ne jemi të lirë falë gjakut të dëshmorëve dhe martirëve të rënë’.
Në fund, qeveritarët, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe familjarët vendosën kurora pranë monumentit ku u mbajt tubimi zyrtarë komunal.