Në organizim të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot është bërë promovimi i librave “Gjeopolitika Ruse në Europën Lindore dhe Juglindore” dhe “Filozofia Politike dhe Nacionale e Ibrahim Rugovës” të autorit Enver Bytyçi.
Para të pranishmëve me një fjalë rasti foli nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Besnik Osmani, i cili ndër të tjera tha se promovimi i veprave të z.Bytyqi është nder për komunën tonë.
Në promovim folën edhe diplomati z.Syl Ukshini dhe ish-ministri z.Rexhep Osmani.
Në praninë e shumë miqve dhe dashamirëve të librit, autori shprehu mirënjohje për Komunën e Fushë-Kosovës dhe për organizimin dinjitoz, si dhe falënderoi të gjithë të pranishmit për ndarjen e kohës së tyre për të qenë prezent në promovimin e librave të tij.
Profesor Bytyçi para të pranishmëve elaboroi idenë dhe përkushtimin se si ka arritur deri tek këto botime shkencore: “Në vitin 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë dhe filloi konflikti, që atëherë unë fillova arkivimin duke mbledhur materiale dhe literaturë faktike, gjithçka çka nevojitej për të shkruar këtë libër. Ngase, për të shkruar një libër dhe për të bërë diçka të mirë nuk mjafton vetëm të ulesh e të shkruash, por duhet një punë kolosale, të grumbullosh, skicosh me qëllim që të realizohet diçka profesionale dhe thelbësore”. Ndërsa për librin “Filozofia Politike dhe Nacionale e Ibrahim Rugovës” autori Bytyçi tha: “Politika e urtë e largpamëse e Presidentit Rugova më shtyu që të mbledh materialet dhe dokumentet të cilat i kam vendosur me shumë kujdes në këtë libër”.