Në sallën e qendrës së Kulturës, në Fushë-Kosovë, është promovuar libri i autorit Haki Bajrami, i cili u vra gjatë luftës, më 26 mars 1999.
Haki Bajrami ishte mësues dhe pedagog i mirë në shkollën fillore “Selman Riza”, anëtar i Teatrit “Qëndresa” dhe anëtar i Klubit Letrar “Naim Frashëri”.
Për librin foli redaktori z.Jonuz Fetahaj, i cili iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë “me një gjuhë e verb lirik Hakiu nis këngëtimin e tij edhe atëherë kur gëzimi jetësor s’humbet /thyhen prangat shekullore, aludim ky se shekulli i ardhshëm, përkatësisht mileniumi i tretë edhe për shqiptarët do të jetë një rilindje e vërtetë kombëtare.
Recensentët e librit Ramadan Mehmeti dhe Hamza Halabaku vlerësuan lartë poezitë e Hakiut duke thënë se me punën e vet shumëvjeçare, Hakiu ishte shembull në brezin e intelektualëve të viteve ’80 e ’90.
Librin “Dritarja e Lirisë” e botoi Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport e komunës së Fushë-Kosovës.