Në Prishtinë u mbajt ceremonia e dorëzimit të Kartës së Energjisë të Komunave të Kosovës, nënshkruar nga Kryetarët e Komunave të Kosovës vitin e kaluar. Pas ceremonisë, u prezantua Plani Komunal i Veprimit për Efiçiencë të Energjisë (PKVEE) 2019-2021. Dorëzimi publik i Kartës së Energjisë të Komunave të Kosovës u bë nga Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z.Sazan Ibrahimi, ndërsa Komuna e Fushë-Kosovës u përfaqësua nga z.Ejup Qyqalla-Shef për Shërbime Publike dhe Mjedis.
Ndikimet e pritura nga PKVEE, janë:
Zvogëlimi i konsumit të energjisë në sektorin e ndërtesave, transportit dhe ndriçimit publik;
Reduktimi i shpenzimeve të energjisë në buxhetin komunal;
Riparimi i impianteve për prodhimin e energjisë dhe të ndërtesave;
Përmirësimi i kushteve sanitare dhe i nivelit të komoditetit në ndërtesat publike;
Zvogëlimi i emetimeve të CO2 në të gjithë sektorët, duke zbatuar masat e EE, përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, menaxhimin e konsumit të energjisë, trajnime dhe masa të tjera;
Rritja e ndërgjegjësimit për përfitimet e EE dhe nxitja e ndryshimit të sjelljes drejt implementimit të masave për EE.
Lista e projekteve të investimeve prioritare në Komunën e Fushë-Kosovës, përfshin 5 projekte me kursim të përgjithshëm të parashikuar të energjisë së paku 1,232 MWh/vit dhe investime me vlerë prej 219,000 €.