Program i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (AKEE) në bashkëpunim me Komunën e Fushë-Kosovës hapën sot këndin e informimit për efiçiencën e energjisë.
Kryetari i komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, foli për rëndësinë e këtij projekti dhe për angazhimet e deritanishme të komunës në drejtim të realizimit të projektit për ndriçim efiçient në gjithë territorin e komunës, kurse z.Bedri Dragusha drejtor i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë tha se Komunat e Kosovës do të shkëmbejnë informata për efiçiencë të energjisë përmes një platforme komunikimi online. Ky projekti i financuar nga Bashkimi Evropian ‘Promovimi i Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtëritshme në Kosovë’ (EERES), përkrahet nga Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (AKEE).
Platforma do të mundësojë shkëmbimin e dokumenteve dhe praktikave më të mira mes zyrtarëve komunal përgjegjës për sektorin e energjisë. Prezantimi i platformës vjen në kohën kur për herë të parë komunat po punojnë për të hartuar planet komunale për efiçiencë të energjisë. Planet komunale do të jenë një pasqyrë reale e fushave ku duhet intervenuar në zbatimin e masave te efiçiencës së energjisë në nivel lokal.
Përfaqësuesja nga UNDP Shkipe Deda-Gjurgjiali, tha se: “Kjo platformë do të lehtësoj komunikimin e komunave mes vete, por edhe me nivelin qendror. E gjithë kjo do të kontribuojë në hartimin e planeve komunale më të mira të efiçiencës së energjisë, plane të cilat identifikojnë nevojat e ndërhyrjes dhe aplikimit të masave të efiçiencës së energjisë”.
Planet e para komunale për efiçiencën e energjisë pritet të përfundojnë në fillim të vitit 2014.