Me rastin e vdekjes së veprimtarit të dalluar z. Nazmi Kelmendi, Kryetari i Komunës z.Burim Berisha, shpreh ngushëllime familjes, miqve e shokëve.
Në telegramin e tij kryetari Berisha në mes tjerash shkruan:
“Me dhimbje të thellë u njoftova për ndarjen nga jeta të z. Nazmi Kelmendi, një nga figurat më të shquara dhe më të respektuara të Komunës së Fushë Kosovës.
Z. Kelmendi ishte aktivist i dalluar para luftës, i njohur për angazhimin e tij të palodhshëm në fushën e sportit dhe kulturës, si dhe për kontributin e tij të çmuar në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës. Ai ka shërbyer si Delegat i Kuvendit të Kosovës në vitin 1990, ku mori pjesë në miratimin e Deklaratës Kushtetuese të Kosovës – një moment kyç në historinë tonë kombëtare.
Në nivel lokal, z. Nazmi Kelmendi ka qenë këshilltar i Kuvendit të Komunës së Fushë Kosovës, duke dhënë kontribut të vazhdueshëm për zhvillimin dhe përmirësimin e komunës sonë.
Si njohje e veçantë për gjithë punën dhe angazhimin e tij, ne shpallëm z. Nazmi Kelmendin “Qytetar Nderi” për Vitin 2025, më datë 22 maj 2025.
Falënderojmë z. Kelmendin për gjithçka që ka bërë për komunitetin tonë dhe për Kosovën. Ai do të mbetet një shembull i përkushtimit dhe përpjekjes së palodhshme për liri, kulturë dhe sport.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë qytetarëve.