Sot, Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, së bashku me Drejtorin e Arsimit, Sabri Xhigoli, zhvilluan takim me Atdhe Hykollin, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK-së), Ymer Ymerin, Sekretar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), si dhe Haki Krasniqin, Kryetar i nivelit komunal të SBASHK-ut në Fushë Kosovë.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut institucional, si dhe për çështjet me interes për punëtorët e arsimit.
U bë e ditur se, nga muaji gusht, 18 mësimdhënës janë përfshirë në sistemin e rregullt të pagave, ndërsa u diskutua edhe për gjetjen e një zgjidhjeje për 25 punëtorët teknikë, të cilët nuk kanë realizuar pagat që nga shtatori i vitit 2025.
Komuna mbetet e përkushtuar për dialog të vazhdueshëm dhe gjetjen e zgjidhjeve konkrete në interes të punëtorëve dhe institucioneve arsimore