Në një atmosferë të shkëlqyeshme, para shumë intelektualëve, sportistëve dhe dashamireve të artit e kulturës, u zgjodhën më të mirët e komunës së Fushë-Kosovës për vitin 2014.
Epiteti i shkencëtarit të vitit i takoi prof.dr. Mentor Sopjanit.
Shkencëtari Sopjani edhe më herët ka dhënë kontribut të çmueshëm në fushën e biologjisë qelizore, në sqarimin e mekanizmit të veprimit të vanadatit, kadmiumit, joneve te argjendit, komponimeve të selenit, arit dhe radiokontrast agjenteve në apoptozën e eritrociteve, proces i cili qon deri te anemia dhe çrregullimet përcjellëse gjatë mikroqarkullimit (te gjakut). Për me tepër vetëvrasja e eritrociteve të infektuara ka ndikim të jashtëzakonshëm në trajtimin klinik të sëmundjes së malaries. Në këtë mënyrë observimet dhe zbulimet e Mentorit kanë implikime të gjera bio-mjekësore. Dr.sc. Mentor Sopjani ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm në zbulimin e rregullimit të një numri të madh të transportierëve qelizor nga shumë molekula sinjalizuese, përfshirë: Jak2, Jak3, SGK1-3, Akt/PKB, GSK3beta, mTOR-in dhe molekulave tjera (shumë nga këto janë tashmë të botuara).
Për të bërë tregimin e gjatë të shkurtër, Dr.sc. Mentor Sopjani ka arritje të jashtëzakonshme puro shkencore, të kualitetit të lartë e të nivelit ndërkombëtar, përfshirë shume monografi shkencore ndërkombëtare dhe mbi 50 publikime tjera shkencore të botuara ose të pranuara për botim në revista shkencore ndërkombëtare me impakt faktor të lakmueshëm. Përveç kësaj ai ka edhe shume punime tjera të dërguara për botim, ose nën revizion, që dëshmojnë vazhdimësinë e punës së tij. Të gjitha këto rezultate janë origjinale dhe të panjohura më parë, e që hapin shtigje të reja në shkencat bazike të fushave të bio-mjekësisë dhe kanë rëndësi edhe për aplikime klinike.
Plaketën e krijuesit të vitit e ndau Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, z. Fadil Krasniqi.
Në radhitjen e më të dalluarve në sport ishte kjo renditje:
Sportiste e vitit 2014 – Erendita Gerguri
– Anëtare e klubit të Taekwondos “Fushë-Kosova” në Fushë-Kosovë.
– Anëtare e reprezentacionit të Taekwondos të Kosovës.
– Viti që po e lëmë pas është një nga vitet më të suksesshme në garat e zhvilluara në Kosovë dhe jashtë vendit.
– Garon në kategorinë 57 kg.
– Vendi i parë në kampionatin e Kosovës kategoria 57 kg, që nga viti 2007 mbanë epitetin e kampionit të Kosovës.
Komuna e Fushë-Kosovës përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport edhe këtë vit ka qenë pjesë e angazhimeve në realizimin e shumë projekteve, sidomos në krijimin e kushteve duke iu ofruar infrastrukturën sportive, prandaj ky është rezultati, që po shihet, i arritjes së sukseseve nga klubet dhe sportistët tanë.
Klubi më i dalluar i vitit – Klubi i Volejbollit “Fushë-Kosova”, garon në ligën e parë dhe është kandidat serioz për inkuadrim në superligën e volejbollit për femra.
Trajneri më i dalluar i vitit – Shefki Bogujevci – I licencuar nga AIBA si trajner Internacional- Trajner i Reprezentacionit të Kosovës.
Referi më i dalluar i vitit – Burim Berisha – Refer i Basketbollit në Superligë dhe njëkohësisht edhe refer në Ligën Ballkanike.
Punëtori Sportiv – Ismet Breznica – që nga mosha 13 vjeç merret me sport, do të thotë si futbollist. Ka ndjek kurse dhe është licencuar si refer në futbollin e Kosovës dhe ka referuar me qindra ndeshje futbollistike anekënd Kosovës. Është vëzhgues në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Shpresa e Sportit – Leonit Latifi – anëtar i klubit të KIK Boksit Fushë-Kosovë, një talent 11 vjeçar i cili ka filluar të radhis shumë rezultate dhe premton shumë, ne po e veçojmë vetëm – Vendi i tretë në Kampionatin Evropian në Luftëra.
Ndër dhjetë më të mirët e vitit 2014 janë:
Rrezarta Islami – kapitene e Klubit të Volejbollit “Fushë-Kosova”,
Emin Grajqevci – atlet i Klubit “Fushë-Kosova”, kampion i Kosovës në 5000 metra,
Egzon Gërguri – kampion i Kosovës – Klubit Taekwondo “ Fushë Kosova”,
Zana Jusufi – Volejbolliste e Klubit “Fushë-Kosova”,
Eros Ramadani – Nënkampion i Kosovës për Junior – Klubi i Boksit “Fushë-Kosova”
Besarta Maxhuni – Kampione e Kosovës dhe fituese e kupës në 5000 metra.
Fatjona Ahmeti – Karateiste e Klubit “Fushë-Kosova” fituese e 14 medaljeve këtë vit anëtare e reprezentacionit të Kosovës
Kushtrim Kelmendi – kampion i Kosovës në 3000 metra.
Adelina Rama – kampione e Kosovës në kata anëtare e rregullt e Reprezentacionit të Kosovës.
Kjo mbrëmje u karakterizua edhe me shënimin e jubileut të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “ Zëri i Kosovës”, i cili dha një program solemn. Anëtarët e ansamblit, solistët, themeluesit si dhe disa nga kontribuuesit e këtij ansambli u nderuan me mirënjohje, kurse për dhjetëvjetorin e punës së suksesshme u prezantua edhe monografia e këtij ansambli “ Dhjetë Vitet e Suksesit”.