Duke parë situatën e rënduar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, së bashku me nënkryetarin Shpend Bardiqi, drejtorin e Shërbimeve Publike, Izja Mjeku, kryesuesin e Kuvendit, Vlonjat Hasani, asambleistin nga komunitetet, Gëzim Gara, si dhe anëtarë të tjerë nga kabineti i Kryetarit, kanë dalë në teren për të parë nga afër gjendjen në disa zona që janë më të rrezikuara nga përmbytjet.
Gjithashtu, në mbështetje kanë dalë edhe ekipet emergjente të Policisë së Kosovës dhe të KEK-ut, së bashku me mjete transportuese, pasi në disa fshatra të Fushë Kosovës është dashur të evakuohet një numër i banorëve.
“I lus qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, duke raportuar çdo situatë që mund të paraqesë rrezik. Gjithashtu, i falënderoj jashtë mase për gatishmërinë e treguar ekipet e Policisë së Kosovës dhe punonjësit e KEK-ut, të cilët ishin me ne gjatë këtyre orëve në teren”, tha ndër të tjera Kryetari.