Komuna e Fushë Kosovës shpreh shqetësimin lidhur me komunikimin e papranueshëm të kryetrajnerit të KF Llapi, Tahir Batatina, ndaj gjyqtarit dhe zyrtarit të Komunës, Fatlum Berisha.
E drejta për të kritikuar vendimet në fushën e lojës është legjitime, mirëpo gjuha e përdorur në këtë rast tejkalon standardin profesional dhe njerëzor. Referimet në çështje personale janë të papranueshme dhe cenojnë drejtpërdrejt dinjitetin e individit.
Komuna e Fushë Kosovës i jep mbështetje zyrtarit, Fatlum Berisha. Çdo formë presioni, ofendimi apo tentativë për intimidim përmes gjuhës së papërshtatshme është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.
Njëkohësisht, Komuna dënon çdo sjellje që cenon integritetin e gjyqtarëve dhe kërkon që të gjitha palët të kontribuojnë në ruajtjen e etikës, respektit dhe frymës sportive në futboll dhe në jetën publike në përgjithësi.