Nën përkujdesjen e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Komunës së Fushë-Kosovës u mbajt Turneu Ndërkombëtar i Shahut “Përvjetori i Pavarësisë 2020”.
Rreth 130 shahistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, duke përfshirë edhe Luginën e Preshevës, Medvegjën, Bujanovcin dhe Sanxhakun ishin pjesëmarrës të këtij turneu tashmë tradicional.
Hapjen e bëri nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, z.Fadil Krasniqi, i cili i përshëndeti dhe iu uroi mirëseardhje pjesëmarrësve dhe e shpalli të hapur turneun “Përvjetori i Pavarësisë 2020”.
Përfaqësimi dinjitoz dhe angazhimi i shahistëve ishte vetëmohues. Klubi i shahut nga Fushë-Kosova si nikoqir i këtij turneu në fund të takimit shpalli edhe fituesit e këtij turneu. Fitues ishte Sulejman Suleviç nga Novi Pazari i cili mori çmimin kryesor, kurse kupa e medalje morën edhe fituesit nga vendi i dytë deri në vendin e pestë, sipas radhës: Muhamet Asllani, Abedin Idrizaj, Xhevat Suhogerlla e Laberion Ajvazaj. Të gjitha çmimet i ndau drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Nurije Avdiu, e cila edhe shpalli të përfunduar këtë turne që është njëri ndër më masivët në Republikën e Kosovës.