Në një ambient madhështor, mbrëmë në Fushë-Kosovë u përmbyll edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik “Fushë-Kosova 2019”. Para qindra adhuruesve të këngës dhe valles ballkanike, ansamble, grupe dhe shoqëri kulturo artistike për tri netët me radhë shpalosën vlerat, kulturat dhe traditat e tyre.
Prezenca e një numri shumë të madh i shikueseve ishte veçanti e këtij festivali, kurse juria profesionale, në përbërje nga: prof. Sami Piraj – Kryetar i Jurisë, prof.dr. Vladimir Janevski – Etnokoreolog nga Shkupi dhe Profesor Dilaver Kryeziu, zgjodhi më të mirët e këtij festivali duke ndarë çmime e sidomos Kupën e Festivalit, që bazuar në performancën dhe lojën e shkëlqyer, iu dha Ansamblit “Makedonija” nga Maqedonia e Veriut.
Çmimet u ndanë për:
- Ansambli më i mirë – “MATIJA GUBEC” – Kroaci
- Orkestra më e mirë: Qendra Kulturore e Fëmijëve “Fushë-Arrëz” – Shqipëri
- Koreografia më e mirë: “EMIN DURAKU” – Shkup
- Valltarët më të mirë: “SHQIPONJA” Saraj – Shkup
- Kostumet më të mira: “RAPSHA” Hot – Malësi e Madhe, Mali i Zi.
- Valltari apo valltarja më e mirë: Diellza Seiti, Sh.K.A “EMIN DURAKU” – Shkup
- Dyshja më e mirë e Festivalit: Shefqet Dervishi dhe Sadik Baxhaku Kërrabë – Tiranë
- Debutantët: Sh.K.A “GERQEK” – Turqi
- Për korrektësi në lojë: Ansambli “SHPRESA” Veleshtë – Strugë
Drejtoria e Kulturës, në cilësinë e organizatorit të këtij festivali madhështor, si i vetmi në Kosovë, falënderon gjitha grupet pjesëmarrëse nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i zi, Turqia dhe Kosova për pjesëmarrje dhe bashkëpunim të ndërsjellë!