Komuna e Fushë Kosovës njofton të gjithë qytetarët, operatorët ekonomikë dhe ekonomitë familjare se, nga data 10.07.2026, do të fillojë zbatimi i masave ndëshkuese ndaj të gjithë personave fizikë dhe juridikë që hedhin mbeturina në vende të palejuara.
Në përputhje me kompetencat dhe autorizimet ligjore, do të ndërmerren masa ndaj atyre që hedhin:
Mbeturina të amvisërisë;
Mbeturina inerte (të ngurta);
Mbeturina vëllimore (mobilie, kauçë, dyshekë, dyer, dritare dhe materiale të tjera të ngjashme);
jashtë hapësirave dhe pikave të përcaktuara nga autoritetet komunale.
Komuna e Fushë Kosovës, përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal, Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse, do të monitorojë vazhdimisht territorin e komunës për të parandaluar krijimin e deponive ilegale dhe ndotjen e mjedisit.
Çdo person që konstatohet duke hedhur mbeturina në vende të palejuara do të përballet me masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.
Ftojmë të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së qytetit dhe të bashkëpunojnë me institucionet kompetente. Nëse vëreni persona që hedhin mbeturina jashtë kontejnerëve ose krijojnë deponi ilegale, ju lutemi t’i raportoni rastet tek Inspektorati Komunal ose Policia e Kosovës.
Ta mbajmë Fushë Kosovën të pastër – përgjegjësia është e përbashkët.