E lindur në fshatin Miradi e Poshtme, Fushë-Kosovë, pasi përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm, Mimoza Budeci, qysh në moshën 18 vjeçare, mori mbi supe një përgjegjësi të madhe për t’i shërbyer uniformës ushtarake dhe vendit.
Që në moshë të re filloi studimet universitare të cilat i vazhdoi në Akademinë Ushtarake në Prishtinë, në Qendrën për Studime Universitare në kuadër të Forcave të Sigurisë së Kosovës, si dhe njëkohësisht në Universitetin Amerikan në Kosovë – AUK. Në vitin 2013 fitoi bursën e plotë nga Mbretëria e Bashkuar e Britanisë për të vazhduar shkollimin në Akademinë Ushtarake në Britani në “The Royal Military Academy – Sandhurst”, njëra prej akademive më të njohura në botë.
Gjatë shkollimit, në Akademinë Ushtarake në Britani të Madhe, Mimoza ka fituar tre çmime: “The Brunei Prize” për ‘Performancën më të mirë në studime të luftës’. Është zgjedhur si ‘Kadetja më e mirë në shkollën e gjuhëve në Britaninë e Madhe në fazën B’ dhe ka fituar medalje në garat e marshimeve dhe të zgjidhjes së problemeve /detyrave ushtarake. Ajo, po ashtu, ka qenë kandidate për të marrë çmimin si ‘Kadeti-ja e huaj e dalluar e gjeneratës’.
Si rezultat i performancës së treguar në lëmin e studimeve Ushtarake në “Sandhurst”, asaj i është ofruar mundësia e vazhdimit të studimeve postdiplomike në Britani të Madhe, mundësi të cilën thotë se me shumë kënaqësi e ka pranuar dhe i ka vazhduar këto studime në lëmin e “Luftërave Moderne dhe Historisë Ushtarake Bashkëkohore”.
Për momentin, Mimoza është udhëheqëse e Tog-ut II, Kompania 1A, në Brigadën për Reagim të Shpejtë në Gjilan. Po ashtu, udhëheq ekipin e futbollit të femrave në FSK.
Mbi të gjitha, ‘unë ndihem shumë me fat dhe i jam shumë mirënjohëse prindërve të mi dhe vëllezërve të mi për përkrahjen e vazhdueshme dhe të pakursyer nga ana e tyre, pa të cilët suksesi nuk do të ishte i mundur’, u shpreh Nëntogerja, Mimoza.
Ajo porositi femrat ‘që të vlerësojnë më shumë veten, të kërkojnë më shumë prej vetes dhe të mos kënaqen vetëm me të drejtat që iu jep kuota gjinore’.