Kryetari i komunës së Fushë-Kosovës, z.Burim Berisha ka kujtuar sot ish-Nënkryetarin e Komunës, veprimtarin e aktivistin e dalluar Sabit Hykolli. “Duke kujtuar 15 nëntorin e para 7 viteve, s’kemi si mos të themi e ta përsërisim në vazhdimësi se Sabiti përpos që ishte atdhetar i dalluar, ai ishte edhe pedagog e humanist si ndër më të rrallët në komunën e Fushë-Kosovës. Ai ishte person që e donte atdheun dhe kombin duke qenë i kalitur me vlera të larta njerëzore, intelektuale e profesionale.
Të gjithë e dimë që do të vdesim një ditë, por më të mirët janë ata që lënë diçka për t’u kujtuar, edhe për shumë kohë pas largimit të tyre fizik. Sabit Hykolli ka vdekur vetëm fizikisht, këtu e 7 vite më parë e ne do ta mbajmë mend si një kolegë i dashur, si një mik i shtrenjtë me të cilin ndamë shumë kujtime të kohës. Sabiti ishte një njeri i shkëlqyer për të gjithë ne, që patëm privilegjin ta kishim mik e bashkëpunëtor në kuptimin më të mirë. Ai gjithmonë ishte i buzëqeshur dhe si i tillë gëzonte respekt të merituar kudo ku punoi e kontribuoi.
Komuna e Fushë-Kosovës mburret me punën e tij si zëvendëskryetar dhe kujtimi për te nuk do të shuhet kurrë”.
Burim Berisha – Kryetar i Komunës së Fushë-Kosovës.