Në Fushë-Kosovë ka përfunduar Edicioni i kolonisë së tretë ‘Euro Kosova, Art’, i cili është mbështetur nga Komuna e Fushë-Kosovës, Ministria e Diasporës dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Fushë-Kosova këto ditë është bërë streha e krijuesve dhe artistëve nga shumë vende të botes. Mbrëmë, në ambientet e kompleksit ‘Mondial Park’, është bërë zyrtarisht mbyllja e kësaj kolonie, e cila tashmë vjen suksesshëm me një eksperiencë trevjeçare.
Këto ditë nuk kanë shërbyer vetëm për krijim, vizita dhe argëtim, por edhe për vendosjen e urave të bashkëpunimit mes artistëve, pasi që ata janë organizatorë të eventeve të tilla në vendet e tyre tha Kryetari i Komunës, z.Burim Berisha. Po ashtu në përmbyllje të këtij edicioni ai ndau edhe mirënjohje për pjesëmarrësit.
Adnan Turan, artist dhe kurator arti në Turqi e vlerësoi këtë koloni si një mundësi mjaft të mirë për të krijuar bashkëpunime të shumta në fushën e artit mes Kosovës dhe Turqisë.
Ndërsa, Antonio Manfredi artist nga Italia, drejtor i Muzeut të Napolit, tha se ka ngelur mjaft i impresionuar nga Kosova, sepse më parë e njihte vetëm nga ngjarjet që kishin ndodhur.
‘Kam kaluar ditët më të veçanta, kam takuar njerëz të veçantë, sepse artistët janë njerëz të veçantë, pasi ndihen më afër Zotit dhe kjo i bën që shumë shpejtë të krijojnë lidhje me njeri tjetrin’, tha ai. Në këtë vizitë të parë në Kosovë, për të cilën shprehet se nuk do të jetë e fundit, pasi që nëse do të ketë rast do të kthehet sërish, Antonio thotë se ‘ndihet mirë që sheh një qytet të gjallëruar, me njerëz shumë vital dhe uroj që Fushë-Kosova dhe Kosova në përgjithësi, të ec ende në rrugën e saj të zhvillimit, pasi unë shoh që e ka rimarrë veten nga ngjarjet e dhimbshme që kanë ndodhur’.
Kolonisë nuk i kanë munguar gëzimet dhe surprizat, një e tillë ka ndodhur me artisten nga Gjermania, Petra Njeman, e cila ka pasur ditëlindjen dhe e ka kaluar në mënyrë shumë festive. Një surprizë e përgatitur nga artistja dhe mikesha e saj, Mina Krasniqi, ka emocionuar piktoren nga Gjermania, e cila nuk ka nguruar të thotë se ‘unë kam prekur Kosovën, kam takuar njerëz, kam krijuar dhe jetuar në këtë vend të mrekullueshëm dhe po u shkruaj miqve të mi ‘duhet të vini në Kosovë’, pasi që nuk është vendi që keni dëgjuar vetëm për luftën, mirëpo këtu ka jetë të shëndetshme, ushqim të mirë, natyrë të bukur dhe njerëz të mrekullueshëm’.
Ngjarja e kolonisë ndërkombëtare ka tërhequr vëmendjen e mediave në Kosovë, ku artistët dhe organizatori kanë qenë të ftuar në studio televizive për të folur rreth eventit që e vendos Kosovën ndër ato shtete ku krijohet art elitar.