Me organizim të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Shkollës së Mesme “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë u shënuan festat e: 28 Nëntorit – Dita e Flamurit, ngritja e Famurit në Krujë nga Skënderbeu, Ditëlindja e Komandantit Adem Jasharit si dhe përvjetori i daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në manifestimin e mbajtur për nder të këtyre festave Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha theksoi se “28 Nëntori – Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar është dhe do të mbetet njëra ndër ngjarjet më të ndritura të popullit shqiptar. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte përpjekje shumëvjeçare e popullit shqiptar për të qenë i lirë dhe i pavarur”. Ndërsa, historiani dhe njëkohësisht Drejtor i shkollës, Amir Pllana, foli për periudhat e vështira që ka kaluar populli shqiptar që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e sotme.
Këngët dhe vallet e bukura të interpretuara nga Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Zëri i Kosovës” i dhanë hijeshinë dhe madhështinë këtij manifestimi.