Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, në kuadër të vizitave që është duke i zhvilluar nëpër komunat e Kosovës për të parë nga afër përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021, është pritur dje nga kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës z.Burim Berisha.
Kryetari Berisha falënderoi Ministrin Likaj për vizitën, bashkëpunimin dhe interesimin e tij për fillimin e vitit të ri shkollor sidomos në rrethanat e krijuara nga pandemia Covid-19 ku përgatitjet për fillimvit dhe rikthim të nxënësve në ambientet shkollore, janë në vlugun më të madh.
Kryetari Berisha tha se pavarësisht vështirësive që mund të na paraqiten, mësimi do të fillojë në të gjitha shkollat, duke përfshirë edhe hapjen e kopshtit të fëmijëve.
Ministri Likaj ndër të tjera ka folur edhe për propozimin financiar për buxhet shtesë në kuadër të planit dinamik për përgatitjet për vitin e ri shkollor. Ky buxhet do të destinohet për angazhimin e një mijë mësimdhënësve rezervë, të cilët do të jenë pjesë e zbatimit të planit për mbrojtje nga COVID-19, si dhe për blerjen e aparateve dezinfektuese që planifikohet të vendosen në secilën shkollë.
Në shenj falënderimi për vizitën që i bëri komunës së Fushë-Kosovës, Kryetari Berisha i dorëzoi ministrit Likaj një Emblemë të Komunës dhe disa libra të botuara nga komuna jonë.