Në mesin e aktiviteteve të shumta, me të cilat Komuna e Fushë-Kosovës e shënoi 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, u nënshkrua edhe ‘Marrëveshja për bashkëpunim komunal ndërkombëtar’ me Komunat Frascineto dhe Civita nga Kalabria. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, z.Burim Berisha, nga kryetari i Komunës Frascineto, z.Angelo Catapano dhe nga kryetari i Komunës Civita, z. Alessandro Tocci.
Me qëllim të zhvillimit dhe promovimit të bashkëpunimit komunal ndërkombëtar, komunat do të bashkëpunojnë në këto fusha:
- Realizimi i aktiviteteve të përbashkëta kulturore dhe rekreative;
- Shkëmbimi i përvojave të institucioneve shkollore dhe shoqatave kulturore-artistike;
- Shkëmbimi i përvojave në fushën e artit, kulturës dhe aktiviteteve të tjera edukativo-arsimore;
- Shkëmbimi i përvojave në fushën e zhvillimit ekonomik lokal.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, të tre kryetarët e komunave iu drejtuan këshilltarëve komunal, të cilët kishin ardhur në mbledhjen solemne kushtuar 17 Shkurtit, ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Kryetari Berisha iu uroi të pranishmëve 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës si dhe i falënderoi kryetarët e Komunave Frascineto dhe Civita që kanë zgjedhur Komunën e Fushë-Kosovës për të lidhë marrëveshje bashkëpunimi.
Nga ana e tyre, zotërinjtë Angelo Catapano dhe Alessandro Tocci falënderuan kryetarin dhe këshilltarët për pritjen e ngrohtë dhe njëherazi u zotuan se do të realizojnë pikat e kësaj marrëveshje, duke filluar së shpejti kontaktet e para si pjesë e marrëveshjes.
Kryesuesja e Kuvendit znj. Vjollca Tërnave Konjusha në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve vlerësoi lartë kontributin e atyre që dhanë shumë për Pavarësinë e Kosovës duke kujtuar dhe respektuar angazhimin e tyre që ne sot të jemi shtet i lirë dhe i pavarur.
Për mysafirët në mbrëmje u shfaq një program i zgjedhur me këngë dhe valle, nga Ansambli i Këngëve dhe i Valleve ‘Zëri i Kosovës’, i cili u pëlqye shumë nga të pranishmit.
Pjesë e këtij programi ishin edhe tre intelektualët e komunës sonë prof.dr.Emin Kabashi, prof.dr. Jusuf Osmani dhe prof. Salih Zogjani.
Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Komunës së Fushë-Kosovës, përveç që u kujdes për organizimin, ndau edhe dhurata për mysafirët nga Komunat e Kalabrisë.
Në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 17 Shkurtit u mbajt edhe turniri ndërkombëtar i shahut ‘Përvjetori i Pavarësisë’. Pjesëmarrës në këtë turnir ishin rreth 150 shahist nga shumë vende të Evropës. Pas lojërave të zhvilluara, fituesit u shpërblyen me medalje, kupa dhe mirënjohje. Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sikur çdo herë tjetër, edhe këtë herë ishte organizatore e këtij turniri.