Pas një periudhe të gjatë pritjeje, po merr zgjidhje një çështje që ka prekur dhjetëra mësimdhënës dhe punëtorë teknikë në institucionet arsimore të Komunës së Fushë Kosovës, të cilët që nga shtatori i vitit 2025 kanë ushtruar detyrën pa qenë të përfshirë në listën e pagave.
Kjo situatë është krijuar si pasojë e mosplanifikimit me kohë të buxhetit në vitet e kaluara, duke sjellë vështirësi të konsiderueshme për punonjësit që kanë vazhduar të kryejnë detyrat e tyre me përgjegjësi dhe përkushtim.
Komuna e Fushë Kosovës ka punuar vazhdimisht për adresimin e kësaj çështjeje dhe, falë angazhimit institucional, është siguruar zgjidhja përfundimtare. Si rezultat, të gjithë punonjësit e prekur do të përfshihen në listën e pagave dhe do ta realizojnë të drejtën e tyre të ligjshme.
Shprehim mirënjohje për durimin, profesionalizmin dhe kontributin e vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe punëtorëve teknikë, të cilët edhe në rrethana të vështira kanë vazhduar të shërbejnë me përkushtim në procesin arsimor.