Para këshilltarëve të rinj, mysafirëve të shumtë dhe të ftuarave të tjerë mbledhjen e udhëhoqi anëtari më i vjetër i Kuvendit të Komunës, këshilltar edhe në legjislaturën e kaluar, z. Sabit Bullatovci nga radhët e LDK-së, i cili pas intonimit të himnit shtetëror kërkoi nga të pranishmit një minutë heshtje në nderim të ish/punëtorit të QKMF-së dhe ish/ushtarit të UÇK-së, Lutfi Breznica, i cili ndërroi jetë para dy ditësh.
Gjatë kësaj seance dhanë betimin edhe i 27-të këshilltarët të cilët fituan mandatin në Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit të këtij viti.
Kryetari i Komunës pas betimit iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti duke konfirmuar gatishmërinë e bashkëpunimit me të gjithë qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës pa dallim dhe me të gjitha partitë politike përfaqësuese në kuvend, në të mirë të zhvillimit të mëtutjeshëm të komunës së Fushë-Kosovës. Besimi që na u dha nga qytetarët për të qeverisur, kërkon nga të gjithë ne angazhim, punë, zbatim të ligjit, transparencë dhe përgjegjësi.
Shpresoj se katër vitet e ardhshme do të jenë vite të mbara, me suksese, zhvillim ekonomik, shoqëror, politik, kulturor dhe social, tha në përmbyllje të fjalimit para të pranishmëve Kryetari i Komunës z. Burim Berisha.