Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, priti sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Kryetari Berisha e njoftoi ambasadorin Szunyog me zhvillimet e përgjithshme dhe ato aktuale në Komunën e Fushë Kosovës. Në takim janë diskutuar një sërë temash, që nga përgatitjet për regjistrimin e popullsisë që do të zhvillohet së shpejti, bashkëpunimin e komunës me institucionet qendrore, integrimin e komuniteteve pakicë si dhe mundësitë e financimit të disa projekteve në komunën tonë që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore dhe promovimin e turizmit.
Me këtë rast, kryetari Berisha e falënderoi ambasadorin Szunyog për bashkëpunimin dhe mbështetjen që BE i ka ofruar komunës së Fushë Kosovës, dhe u zotua se Komuna e Fushë Kosovës do të vazhdojë të punojë me përkushtim në realizimin e projekteve zhvillimore që kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike për të gjithë qytetarët e komunës sonë.
Pas takimit, kryetari z. Berisha dhe ambasadori z. Szunyog kanë vizituar disa projekte kapitale që janë duke u zbatuar dhe parkun e pishave në Sllatinë që tashmë në saje të kujdesit dhe investimeve të komunës është bërë vend i dashur për shumë qytetarë anekënd Kosovës.