Në zyrën e Kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, për një vizitë pune qëndroi historiani prof. Dr. Riza Sadiku. Fillimisht z. Sadiku u informua nga Kryetari Berisha për rrjedhat e përgjithshme në komunë e në veçanti rreth zhvillimeve në arsim dhe kulturë.
Botimi i përmbledhjes “Mërgata Shqiptaro-Amerikane për Kosovën” ishte qëllimi i vizitës së prof. Riza Sadiku dhe takimi i tij me Kryetarin Berisha. Veprimtari i dalluar dhe intelektual i njohur i trevave shqiptare prof. Sadiku gjatë bisedës tha se qëllimi i këtij botimi është që shqiptarët të informohen më detajisht që nga shpërnguljet e para që ishin në fundin e shek. XIX e deri më sot.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lart kontributin e lobit shqiptar në Amerikë dhe angazhimet e tyre që çështja shqiptare është dhe do të mbetet prioritet në senatin dhe kongresin amerikan.
Në fund të takimit prof. Dr. Riza Sadiku i dhuroi Kryetarit Berisha përmbledhjen “Mërgata Shqiptaro-Amerikane për Kosovën”.