Komuna e Fushë-Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në atmosferë festive organizoi mbrëmjen përmbyllëse ku u bë edhe zgjedhja e krijuesit të vitit, dhjetë sportistët më të dalluar, klubi më i mirë, trajneri më i mirë, gjyqtari më i mirë, punëtori sportiv si dhe shpresa e sportit për vitin 2021.
Në fjalën përmbyllëse të kësaj mbrëmje nënkryetari i Komunës z.Fadil Krasniqi tha se “Komuna e Fushë-Kosovës edhe gjatë këtij viti shquhet për realizimin dhe përmbushjen e detyrave dhe obligimeve ndaj qytetarëve, në veçanti në fushën e kulturës dhe sportit. Projekte të shumta janë realizuar këtë vit dukë përfshirë sportin si një nga prioritetet tona.”
Titullin “Krijuesi i vitit 2021” këtë vit komisioni komunal i ndau poetit e veprimtarit të dalluar, mësuesit Nexhat Sadullahu, i cili në opusin e tij ka të botuara pesëmbëdhjetë libra me poezi, dramë, monografi dhe romane. Pllaketën “Krijuesi i vitit 2021” për poetin Nexhat Sadullahu, e ndau nënkryetari i Komunës, Fadil Krasniqi, bashkë me prof. dr.Jusuf Osmanin.
Nasuf Berisha u zgjedh “Sportist i vitit 2021” për komunën e Fushë-Kosovës:
- Kapiten i K.F “Fushë-Kosova”
- Trajner i licencuar me licencë B të UEFA-së
- Trajner i grupmoshave U 17
- Me K.F “Fushë-Kosova” ka arritur të ngritet nga liga e dytë në ligën e parë të Kosovës, duke qenë bartësi kryesor i rezultateve dhe sukseseve për disa vite me radhë.
- Vazhdon të jetë shtylla kryesore dhe promotori i klubit.
- Prej fillimit të karrierës i ka qëndruar besnik klubit të qytetit, duke mos e ndërruar asnjëherë.
- “Klubi më i dalluar i vitit 2021” u zgjedh Klubi i Karatesë “Fushë-Kosova”, me gjithsej 185 medalje, 68 të arta (prej tyre dy Ballkanike), 54 të argjendta (dy prej tyre botërore), si dhe 63 të bronzta të fituara në gara të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
- “Trajneri më i dalluar i vitit 2021” u zgjedh Granit Hykolli. Hykolli është njëri nga më të dalluarit jo vetëm në Kosovë por edhe në arenën kombëtare e ndërkombëtare. Është pjesëmarrës në kampionatin Ballkanik, Evropian dhe Botëror.
Ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në vitin 2021 kurse e arritura më e madhe e këtij trajneri janë 185 medaljet e fituara. 68 medalje të arta (prej tyre dy Ballkanike), 54 të argjendta(dy prej tyre botërore), si dhe 63 të bronzta të fituara në gara të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
- “Gjyqtari i vitit 2021” sipas vlerësimit të komisionit u zgjedh Istref Elezaj. Për herë të parë është një gjyqtar kosovar që merr licencën ndërkombëtare për ndarjen e drejtësisë në sportin e volejbollit.
- “Punëtori Sportiv” për këtë vit sipas vlerësimit të komisionit u zgjedh zonja Sherife Aliçkaj-Qerimi e cila është ndër më të dalluarat nga punëtorët tjerë sportiv për këtë vit. Ajo veçohet për ngritjen e cilësisë dhe të vlerave të mirëfillta sidomos të gjeneratave të reja në sport.
- “Shpresa e Sportit 2021” u zgjedh Qëndresa Ibrahimi e lindur në vitin 2007. Ishte një vit i jashtëzakonshëm për të. Pjesëmarrëse e shumtë në garat vendore, rajonale Ballkanike Evropiane dhe Botërore.
Qëndresa ka arritur t’i sjellë gjithsej 14 tituj: 9 medalje të arta, 3 medalje të argjendta dhe 2 medalje të bronzta. Është e renditur si e pesta në ranglistën botërore të Karatesë me gjithsej 730 pikë olimpike të grumbulluara.
Ndër dhjetë sportistët më të dalluar janë veçuar:
- Ilirida Gashani – Volejbolliste
- Enkel Hamiti – Karateist
- Muhamedin Veseli – Klubi i Xhudos “SANKAKU”
- Sibora Gashani – Volejbolliste
- Muhamet Shainoviq – Boksier i klubit “Fushë-Kosova”
- Blend Qyqalla – Futbollist i FC “KOSOVARI”
- Ilir Jashanica – Basketbollist i “KB KOSOVARI”
- Vlera Gërguri – anëtare e klubit të Gjimnastikës “Fushë-Kosova”
- Dren Ibrahimi – Karateist i klubit “MARTIAL ARTS” në Fushë-Kosovë.
Komuna e Fushë-Kosovës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, iu uron sportistëve suksese edhe më të mëdha në vitin vijues, duke u zotuar se do t’i përkrahin dhe do t’i mbështesin pandalshëm.