Komuna e Fushë Kosovës, në partneritet me UNDP-në, ka nisur zbatimin e Programit “In Motion”, me qëllim mbështetjen dhe fuqizimin e bizneseve të vogla dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.
Në kuadër të pilotimit të parë në Fushë Kosovë, janë përzgjedhur 14 biznese, të cilat do të përfitojnë këshillim individual, mentorim dhe mbështetje praktike, të përshtatur sipas nevojave të tyre.
Në sesionin e parë informues morën pjesë Kryetari i Komunës, Valon Prebreza, Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós, Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Pranvera Merovci, përfaqësues të UNDP-së dhe bizneset e përzgjedhura.
Përmes këtij programi, Komuna e Fushë Kosovës dhe UNDP synojnë të krijojnë mundësi të reja për rritjen e bizneseve, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.