Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, së bashku me stafin e tij, ka zhvilluar një takim zyrtar me përfaqësues të GIZ në Kosovë.
Në këtë takim, Kryetari i Komunës mirëpriti përfaqësues zyrtarë të GIZ-it Gjerman, me të cilët u diskutuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Fushë-Kosovës dhe GIZ-it.
Qëllimi i diskutimit ishte në mbështetjen që GIZ mund të ofrojë për Komunën, format e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në projektet që lidhen me trajtimin e problemit të mbeturinave, përmirësimin e shërbimeve publike dhe iniciativa që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin lokal.
Kryetari Prebreza ka falënderuar përfaqësuesit e GIZ për vizitën dhe gatishmërinë e treguar për bashkëpunim, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të këtij partneri të rëndësishëm në nisma që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Fushë-Kosovës.