Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, i ndau titullin “Qytetar Nderi” z. Gani Bajrami, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e tij të çmuar ndër vite në shërbim të qytetit dhe komunitetit.
Ky vlerësim përfaqëson respektin institucional për angazhimin, integritetin dhe përkushtimin e z. Bajrami, i cili me veprimtarinë e tij ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë dhe zhvillimin e Fushë Kosovës.
Gjatë ceremonisë, Kryetari Prebreza pati kënaqësinë të takohej edhe me znj. Fexhrije Plakolli, motrën e z. Gani Bajrami, e lindur më 15.05.1958, e cila njihet si banorja e parë e regjistruar në Komunën e Fushë Kosovës. Ky takim ishte një moment i veçantë për të nderuar një familje që ka qenë pjesë e pandashme e historisë dhe identitetit të qytetit.
Komuna e Fushë Kosovës mbetet e përkushtuar në vlerësimin e personaliteteve që me punën, përkushtimin dhe kontributin e tyre kanë ndikuar në zhvillimin dhe avancimin e komunitetit tonë.