Me qëllim të ngritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e planifikimit të buxhetit komunal për “financimi i projekteve kapitale për vitin 2014-2016”, autoritetet komunale të Komunës së Fushë-Kosovës, kanë diskutuar me qytetarë, rreth nevojave që kanë ata për përmirësimin e infrastrukturës dhe projekteve tjera zhvillimore.
Në këtë debat, që ishte i pari i kësaj natyre që u zhvillua, krahas një numri të qytetarëve morën pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të partive politike.
Debatin e drejtuan kryesuesi i KK-së, Jakup Tërnava, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa Ramadan Jashanica si dhe Bardhyl Kojçiçi shef i planifikimit.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Fushë-Kosovës, Jakup Tërnava, ka thënë se praktika e re e planifikimit të buxhetit, me pjesëmarrje të qytetarëve, ka një rëndësi të veçantë si për komunën po ashtu edhe për vetë qytetarët, pasi planifikimi I buxhetit bëhet në bazë të kërkesave të vetë qytetarëve.
“ Kjo praktikë na mundëson që planifikimin e buxhetit ta bëjmë së bashku me qytetarët, në mënyrë që ky buxhet të planifikohet komfor nevojave të vetë qytetarëve”, ka thënë Tërnava. Ai ka theksuar se komuna është në dijeni për nevojat e shumta të qytetarëve, por mundësitë e kufizuara buxhetore nuk i japin asaj mundësi të investoi në çdo projekt që propozohet nga qytetarët, prandaj edhe përmes këtyre debateve përcaktohen edhe prioritetet se ku është më se e nevojshme të investohet.
Ndërsa, drejtori komunal për buxhet dhe financa, Ramadan Jashanica, është shprehur se edhe përkundër buxhetit tejet të limituar që kishte deri më tani komuna e Fushë-Kosovës, ky buxhet deri në 2016 do të jetë 2.880.000.
Qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile të Fushë-Kosovës si prioritet për investime kanë propozuar shëndetësinë, arsimin, asfaltimin e rrugëve, mbështetje në subvencione në bujqësi etj.
Zyrtarët komunal duke iu përgjigjur pyetjeve dhe kërkesave si dhe shqetësimeve të qytetarëve, thanë se komuna do të marr parasysh çdo nevojë që paraqitet nga qytetarët të cilët krahas debateve publike këto kërkesa mund t’i paraqesin edhe drejtpërdrejtë në komunë, përkatësisht në drejtoritë komunale, si dhe presim që deri në fund të vitit të kemi edhe dy dëgjime të tjera.