Në komunën tonë tashmë ka filluar realizimi i projektit të Parkut Industrial. Ky projekt është zhvilluar dhe financohet nga Kompania “Bau Holding L.L.C” me mjetet e saja vetanake dhe në pronën e saj private. Projekti i Parkut Industrial, ku do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetin e tyre shumë biznese, sidomos në prodhim, shtrihet në një sipërfaqe prej 36 hektarësh dhe ofron kushte shumë të mira të operimit në një prej lokacioneve më të mira në Komunë por edhe në Kosovë në përgjithësi. Vlera e investimit kap shumën e rreth 30 milion euro në total e cila pritet të ndodhë në dy vitet në vijim. Parku industrial do të ofrojë mundësi punësimi për më shumë se 1000 punonjës. Ne jemi shumë të nderuar që kompania në fjalë ka përzgjedhur Komunën tonë që të zhvillojë një projekt të tillë.
Pa ndalur do të vazhdojmë t’i mbështesim bizneset duke krijuar hapësira dhe lehtësi për investime ashtu që ti japim shanse më të mira zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të bilancit tregtar me produktet që do të eksportohen.