Në organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport sot në Fushë-Kosovë u mbajt akademia përkujtimore me rastin e katërmbëdhjetë vjetorit të Masakrës së Fushë-Kosovës. Pas intonimit të himnit kombëtar fjalën e rastit e paraqiti kryesuesi i Asamblesë Komunale z.Jakup Tërnava, i cili duke iu drejtua të pranishmëve tha se Marsi Tragjik i vitit 1999 shënoi kulmin e terrorit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, andaj sot i përkujtojmë me respekt të thellë 168 të rënët e komunës tonë.
Në fund të fjalës së tij z.Tërnava tha se komuna e Fushë-Kosovës ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e hapur dhe në shërbimin tuaj.
Të pranishmëve iu drejtuan edhe z. Preg Gjetaj nga komisioni për persona të pa gjetur në nivel të Qeverisë së Kosovës si dhe z.Haki Kasumi kryetar i Këshillit për persona të pa gjetur.
Z.Arsim Mirena në emër të familjarëve tha se 26 e 27 Marsin e vitit 1999, nuk do ta harrojmë kurrë. Nuk do t’i harrojmë kurrë të rënët tanë sepse ishin figurat më të ndritura që i dhanë kuptimin Lirisë. Ata fjalët i kishin mjaltë, sjelljet fisnike dhe punët vepra të arta. Nuk mund t’i harrojmë kurrë më të dashurit tanë, të urtë e të sinqertë, të dashur e të hareshëm që imponohen me vlerat e tyre tepër të veçanta njerëzore.
Jeta është sa e ëmbël aq edhe e hidhur njëkohësisht! Jeta – dritë dhe errësirë hyjnore, Jeta sa e bukur kur rrjedh dhe sa pikëlluese kur ndalet.
Por jo … jo ata nuk janë ndalur dhe as nuk do të ndalen kurrë sepse derdhën gjakun e tyre si lumi për të shtrenjtin Ideal – Idealin e Lirisë. Tha në fund të fjalës së tij z.Mirena
Përmbylljen e Akademisë përkujtimore me një program të pasur e begatuan grupi i baletit të Studios “Mjellma” si dhe aktorët nga Skënderaj Shaqir Bejta dhe Blerta Qerimaj me ekzekutimin e recitalit ‘Të Masakruarit gjithë andej nëpër Kosovë’.
Me të përfunduar Akademia, kryetari i Komunës, z.Burim Berisha me bashkëpunëtorë vendosi kurorë lulesh në varrezat e martirëve të rënë më 26 dhe 27 Mars 1999.