Në Rijad të Arabisë Saudite, për katërmbëdhjetë ditë, ka qëndruar Ansambli i Këngëve dhe i Valleve ‘Zëri i Kosovës’, i cili mori pjesë në festivalin e rangut botëror ‘King Abdulaziz Camel Festival’.
Në mesin e 100 shteteve pjesëmarrëse, Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare arritën që artin dhe kulturën shqiptare ta prezantojnë përmes Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Zëri i Kosovës” nga Fushë-Kosova.
Ky Ansambël përmes paraqitjeve mbresëlënëse arriti që të shkoj deri në finale të festivalit duke lënë anash shumë vende të rajonit dhe botës.
Prej gjashtëmbëdhjetë vendeve që hynë në rrethin e ngushtë, për paraqitjen më të mirë Ansambli ‘Zëri i Kosovës’ u nominua për çmimin dhjetë mijë dollarë. Shtetet e vetme që u nominuan ishin Kosova, Rumania dhe Bullgaria.
Vallja e luajtur, kostumografia dhe sharmi i bukur i paraqitur në skenat gjigande të Rijadit, bënë që Ansambli i Këngëve dhe i Valleve ‘Zëri i Kosovës’ të mirëpritet jashtëzakonisht mirë nga organizatori si dhe nga publiku.
Përfaqësuesit tanë, të prirë nga drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Nurije Avdiu, dhe koreografi prof. Dilaver Kryeziu, u pritën edhe nga zyrtarë të lartë të ambasadës së Kosovës në Rijad, të prirë nga z. Vahid Haxhiu, ku me këtë rast u shkëmbyen edhe dhurata nga të dyja palët.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Fushë-Kosovës edhe kësaj here qëndroi pranë këtij Ansambli, i cili me prezantimet e veta në mbarë botën, tashmë është duke shkruar një pjesë të historisë së kulturës në Fushë-Kosovë.
Mbështetjen financiare për pjesëmarrje në këtë festival e realizoi vetë organizatori, ndërsa edhe Komuna, përkatësisht DKRS, mbështeti me një shumë të caktuar me mjete financiare realizimin e këtij festivali.