Në komunën e Fushë-Kosovës filloi aktiviteti “Ditët e Informimit për Cilësinë e Ajrit” – i cili ka për qëllim të informojë publikun lidhur me rreziqet shëndetësore të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që ata duhet ndërmarrë për të mbrojtur veten, duke ndryshuar sjelljen e tyre dhe duke u përpjekur të ulin nivelin e ndotjes së ajrit.
Për rëndësinë e këtij aktiviteti, nga Komuna të pranishmëve iu drejtua z. Ali Topalli, ndërsa fjalën dhe prezantimet e tyre i paraqitën edhe përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Institutit të Hidrometeorologjisë dhe Milenium Foundation Kosova.
Përveç informacioneve të prezantuara për publikun e gjerë, informacione të veçanta do t’iu jepen edhe grupeve të synuara të cenueshme, siç janë: njerëzit e moshuar, fëmijët, njerëzit me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna. Për fëmijët do të organizohen aktivitete të veçanta të lojës dhe mësimit, në bashkëpunim me OJQ-në “Science for Change Kosovo”.