Me një pjesëmarrje tejet të kënaqshme është mbajtur diskutimi publik me pjesëtarët e komunitetit egjipitian të Fushë-Kosovës. Të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës z. Burim Berisha, Deputeti i Kuvendit të Kosovës z. Veton Berisha, zëvendësministri i MAP z. Mustaf Myrtaj, drejtorë të drejtorive komunale dhe përfaqësuesë të tjerë.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës dhe të pranishmit tjerë shfrytëzuan rastin që t’i urojnë komunitetit egjiptian 24 Qershorin, ditën e tyre nacionale.
Gjatë takimit pjesëmarrësit shtruan pyetje të shumta, me theks të veçantë lidhur me infrastrukturën në përgjithësi, përfshirë asfaltimin e rrugëve, ujësjellësin, kanalizimin, ndriçimin publik, etj. Pyetjet e shtruara dhe interesimet e këtij komunitetit morën përgjigje nga Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha, i cili elaboroi punët e bëra në Komunën e Fushë-Kosovës, duke përmendur edhe punimet në lagjet ku jetojnë komunitetet.
Gjatë takimit u theksua se komuniteti egjiptian i pranon simbolet shtetërore të Republikës se Kosovës dhe shtetësinë e saj ku ata jetojnë e kontribuojnë.
Komuna e Fushë-Kosovës do të vazhdojë, si në të kaluarën, të realizojë projekte për përmirësimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës, përfshirë edhe ata të komunitetit egjiptian.