Sot, zyrtarët komunal të cilët janë përgjegjës për këtë fushë emergjente së bashku me Kryetarin e Komunës, z.Burim Berisha, kanë qenë gjatë gjithë kohës në teren të Komunës së Fushë-Kosovës ku kanë përcjellë për së afërmi pasojat e reshjeve të këtyre ditëve si dhe kanë ndihmuar në tejkalimin e gjendjes së krijuar. Deri më tani kemi evidentuar që të gjitha kanalizimet dhe nyjat atmosferike funksionojnë pa ndonjë problem.
Edhe lumi ‘Drenica’, në tërë rrjedhën ku është punuar, nuk ka bërë vërshime të tokave bujqësore dhe se qarkullon pa ndonjë problem.
Problemet janë evidentuar në hyrje të lokaliteteve përreth rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë, në fshatërat Vragoli, Miradi e Poshtme dhe Miradi e Epërme si pasojë e ndërtimit të urave nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës nën nivelin e ujit të lumit Sitnica, ku ka ardhur deri te mbushja me ujë e këtyre kalimeve nën urë ku edhe ka vështirësuar qarkullimin e popullatës.
Në Bresje, tek rrethrrotullimi i Autostradës, si pasojë e ndërtimit të nënkalimit të ngushtë të lumit Prishtevka nga Kompania Bechtel-Enka, e cila është kontraktuar nga MI-ja si kryes i punëve, janë shkaktuar vërshime të mëdha të shtëpive dhe të kulturave bujqësore. Ne, gjatë periudhës së ndërtimit kemi tërhequr vërejtjen disa herë që të ketë kujdes sepse ky regjion konsiderohet si pikë e ulët ku mund të kemi probleme të mëdha me vërshime gjatë periudhave dimërore dhe pranverore, mirëpo mendimi ynë nuk është marrë në konsideratë.