Vizitë e rëndësishme e delegacionit turk në Fushë-Kosovë
Me ftesë të kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, z.Burim Berisha, një delegacion i lartë i qytetit të Silifkes – Turqi, po qëndron për vizitë zyrtare në Komunën e Fushë-Kosovës.
Delegacioni i udhëhequr nga kryetari i Silifkes z. Bayram Ali Ongel u prit fillimisht nga kryetari i Komunës ku u njoftua për rrjedhat e përgjithshme në komunën e Fushë-Kosovës. Kryetari Berisha falënderoi mysafirët duke çmuar lartë bashkëpunimin në mes të këtyre dy komunave tashmë të vëllazëruara.
Nga ana e tij z.Bayram Ali Ongel me bashkëpunëtorë, që në përbërje ishin delegatë të asamblesë së Silifkes, drejtor të departamenteve si dhe biznesmenë, falënderuan për pritjen e ngrohtë dhe premtuan bashkëpunim edhe më të fuqishëm në lami të ndryshme. Më pas kryetari i Silifkes iu drejtua edhe delegatëve të Kuvendit të Komunës ku falënderoi për pritjen e rezervuar dhe bashkëpunimin.
Pas përfundimit të këtyre takimeve të pranishmit vizituan shkollën e mesme “Hivzi Sulejmani” dhe kopshtin e fëmijëve “Gëzimi Ynë”.
Në prani të mysafirëve nga Silifke, z. Bayram Ali Ongel, kryetarit Berisha dhe të ambasadores së Turqisë në Prishtinë zonjës Songül Ozan u bë edhe zbulimi i pllakës me emrin “SILIFKE”, që do të mbajë një rrugë në qytetin e Fushë-Kosovës.