Komuna e Fushë Kosovës mirëpret çdo veprim të institucioneve të drejtësisë që synon zbardhjen e rasteve të dyshuara të keqpërdorimit të pronës publike.
Në lidhje me rastin e datës 8 shtator, Komuna ka ndërmarrë masat e nevojshme institucionale ndaj zyrtarëve për të cilët ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Komuna e Fushë Kosovës është e gatshme të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës dhe të gjitha organet kompetente, në mënyrë që çdo pretendim të hetohet deri në fund.
Fushë Kosova ka pësuar dëme të mëdha ndër vite nga keqpërdorimi dhe tjetërsimi i pronës publike. Sot, përballë një zhvillimi të jashtëzakonshëm demografik, Komuna përballet me një realitet të dhimbshëm: në shumë raste mungojnë hapësirat publike ku mund të ndërtojmë shkolla, çerdhe, parqe dhe infrastrukturë tjetër në shërbim të qytetarëve.
Kjo është edhe arsyeja pse mbrojtja e pronës publike nuk është thjesht çështje administrative. Është çështje e interesit të qytetit dhe e së ardhmes së fëmijëve tanë.
Ne nuk do të mbrojmë askënd dhe nuk do të tolerojmë keqpërdorimin e pasurisë publike, pavarësisht se kush mund të jetë i përfshirë. Por, në të njëjtën kohë, nuk paragjykojmë askënd. Përfundimet duhet t’ua lëmë hetimeve dhe institucioneve kompetente.
Komuna e Fushë Kosovës do të vazhdojë të jetë e hapur për bashkëpunim, transparente ndaj qytetarëve dhe e vendosur për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të pronës publike.
Prona publike është e qytetarëve.
Ajo nuk është për t’u keqpërdorur — është për t’u shërbyer qytetarëve.