Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Zëri i Kosovës” nga Fushë-Kosova është i vetmi Ansambël nga trojet shqiptare që shfaqi program në diasporë për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Ansambli i këngëve dhe i Valleve “Zëri i Kosovës” nga Fushë-Kosova u kthye nga Freiburgu i Gjermanisë ku para bashkatdhetarëve tanë dha një program të pasur kulturo-argëtues më këngë dhe valle të zgjedhura. Për rëndësinë e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të pranishmëve në sallë iu drejtuan z.Skënderbeg Klaiqi, kryetar i Shoqatës kulturorë Gjermano-Shqiptare, pastaj z.Skënder Xhakaliu, Ambasador i Kosovës në Gjermani, z.Ulrih Fon Krishbah, drejtor për Kulturë, Turizëm dhe Sport i qytetit të Freiburgut, si dhe në fund ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës z.Ibrahim Makolli. Në prani të rreth 500 shikuesve program i Ansamblit “Zëri i Kosovës” u prit jashtëzakonisht mirë dhe u duartrokit gjatë nga të pranishmit. Koreografia e prof. Dilaver Kryeziut me pikat e zgjedhura për vallëzim si dhe këngëtarët Rrustem Orllati e Bekim Krasniqi nën përcjellje të instrumentistit Mentor Zogjanit, bënë që ky ansambël së bashku edhe me grupin e valltarëve të Shoqatës Kulturore Shqiptare “Scanderbeg” dhe shkollave shqipe të qytetit të Freiburgut, të kënaqin të pranishmit. Gjatë ceremonisë së kësaj mbrëmje u ndanë edhe dhurata nga të dyja Ansamblet si dhe për disa nga mysafirët e lartë prezent. Në shenjë nderimi për Ansamblin nga Fushë-Kosova, bashkatdhetarët tanë kishin përgatitur edhe një tortë me simbolin e Flamurit dhe të 100 vjetorit e cila u simbolikisht u pre nga prof Dilaver Kryeziu, Ali Topalli dhe Skenderbeg Klaiqi.