Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z.Ismet Ibishi, i shoqëruar nga zyrtarë të Policisë së rajonit të Prishtinës dhe zyrtarë të Agjencionit për Menaxhim Emergjent, vizituan komunën e Fushë-Kosovës, ku u pritën nga kryetari i Komunës z.Burim Berisha. Zëvendësministri Ibishi kërkoi nga zyrtarët e komunës së Fushë-Kosovës që të koordinohen me Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave dhe të inkorporohen në planin e Reagimit Kombëtar dhe Sistemin e Integruar për Menaxhim të Emergjencave në mënyrë që në rast të fatkeqësive të ndryshme të jenë të informuar për detajet e veprimeve. Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës z. Burim Berisha, i njoftoi mysafirët për aktivitetet e Komunës dhe për bashkëpunimin e mirë që kanë me Policinë e Kosovës. Kryetari Berisha bëri të ditur se gjendja e sigurisë në këtë Komunë është shumë e mirë, me përjashtim të ndonjë incidenti të vogël nuk ka ndodhur asnjë rast me pasoja tragjike.