Me vendim të kryetarit të komunës z. Burim Berisha, sot nxënësja e shkëlqyeshme e gjimnazit “HivziSulejmani”, Altuna Hyseni, ushtroi funksionin e kryetares së komunës për të shënuar ditën e Rinisë – 12 gushtin.
Në mënyrë solemne z. Berisha ja dorëzoi mandatin znj.Hyseni ku edhe filloi agjenda ditore e saj.
Në fillim znj. Hyseni u takua me nënkryetarin e komunës, z. Besnik Osmani për të vazhduar takimin me shefin e policisë i cili e informoi për gjendjen e sigurisë në komunën e Fushë Kosovës, duke e njoftuar për ardhjen e 30 zyrtarëve të rinj nga akademia policore. Më pas znj. Hyseni u takua me Bordin e Drejtorëve ku me të gjithë ata zhvilloi diskutime lidhur me projektet të cilat janë duke u zhvilluar aktualisht në komunën e Fushë Kosovës.
Në vijim kryetarja takoi, sekretarin e Kryqit të Kuq, z.Maliq Thaqi si dhe z. Faton Ajeti, përfaqësues nga OSBE, me të cilin diskutuan për projektet e reja me tematika të ndryshme për shkollat e komunës sonë.
Agjenda e kryetares së re vazhdoi me vizitat tek zyrat e gjendjes civile dhe zyrat e Kadastrit ku u informua për punët që kryhen aty.
Në fund të ditës kryetarja vazhdoi takimet me të rinjtë e komunës tonë me të cilët patën një bashkëbisedim tejet pozitiv, e më pas së bashku me të rinjtë vazhduan vizitën në terren më saktësisht përcolli punimet që po zhvillohen në stadiumin e qytetit Ekrem Grajqevci.
Në përmbyllje të agjendës ditore kryetarja Hyseni tha se sot pata një eksperiencë të veçantë duke u ndi e përgjegjshme ndaj komunitetit andaj dëshmoj se rinia jonë është e gatshme të marrë rolin e liderëve të së ardhmes.