Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ka vizituar sot komunën e Fushë-Kosovës me ç’rast ka diskutuar me kryetarin e kësaj komune, z.Burim Berisha, për detyrimet dhe angazhimet që dalin nga procesi i integrimeve evropiane të Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit Ministrja Çitaku dhe Kryetari Berisha diskutuan për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve në mes të nivelit qendror dhe atij lokal, procesin e liberalizimit të vizave, me fokus të veçantë u diskutua për integrimin e personave të riatdhesuar, trajtimin e dukurisë së migrimit të parregullt, financimin e projekteve IPA në nivel komunal si dhe akomodimin e bursistëve nga programi i Young Cells Scheme, në Administratën Komunale, tema këto të cilat janë me interes për integrimin e vendit dhe fuqizimin e bashkëpunimit bilateral në mes pushtetit lokal dhe Ministrisë së Integrimit Evropian.
Ministrja Vlora Çitaku, ka premtuar ndihmën e ministrisë që udhëheq , për t`i përballuar sfidat e riatdhesimit të qytetarëve të komunës, si dhe do të angazhohet në qeveri për përmirësimin e kushteve ligjore e të tjera për zhvillim ekonomik dhe në kuadër të kësaj për krijimin e klimës më të mirë për investitorët.
“Është në interesin e të gjithëve që të përmbushim kriteret që kërkon BE-ja për integrim, sepse integrimi evropian i Kosovës bëhet në Fushë-Kosovë , Prishtinë e gjetiu, duke i kryer detyrat që na takojnë dhe jo në Bruksel, Berlin, Paris”, theksoi ministrja Çitaku.
Nga ana e tij Kryetari i Komunës, Burim Berisha , e falënderoi Ministren Çitaku për vizitën e saj dhe shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me nivelin qendror, në mënyrë që të shtyhen përpara të gjitha proceset që kanë të bëjnë me Integrimet Evropiane.