Kryetari i Komunës, z. Burim Berisha, priti Drejtorin e Zyrës Rajonale të OSBE-së, z. Neil Tobin dhe zyrtarin e kësaj zyre, z.Ismet Lepaja, të cilët prezantuan iniciativën/projektin për ‘Promovimin e dialogut ndëretnik dhe tolerancës në komunat e rajonit të Prishtinës’, gjegjësisht me të rinjtë e komunave të: Fushë-Kosovës, Lipjanit, Graçanicës dhe Obiliqit. Projekti ka për objektiv tubimin e të rinjve nga komunat e lartpërmendura që të japin idetë e tyre për aktivitete të përbashkëta ndërkomunale që çojnë në promovimin dhe forcimin e dialogut dhe tolerancës në përgjithësi. Në takim, Kryetari Berisha u zotua se do të jetë mbështetës i fortë i iniciativave të tilla me qëllim të krijimit të një klime të përshtatshme për shoqërinë në përgjithësi e veçanërisht për të rinjtë.