Ka nisur fushata sensibilizuese kundër dhunës me bazë gjinore e organizuar nga Mekanizmi Lokal për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Barazi Gjinore.
Fushata shënohet përmes aktiviteteve të ndryshme ndërgjegjësuese, kësaj radhe me moton:
“Shtëpia është dashuri, jo frikë”
Në kuadër të aktivitetit u ekspozuan piktura të shumta të realizuara nga nxënësit e shkollave të Komunës së Fushë Kosovës përmes të cilave u përcollën mesazhe kundër dhunës.
Një nga momentet simbolike të aktivitetit ishte dhurimi i 67 luleve përkujtimore, në nderim të 67 grave të vrara, si thirrje për reflektim dhe angazhim të përbashkët kundër dhunës ndaj grave.
Me një fjalë rasti, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës përcolli një mesazh të rëndësishëm për përgjegjësinë e përbashkët shoqërore:
“Bashkërisht të jemi shembull i një shoqërie të shëndoshë, ku të gjitha gratë të jenë të sigurta”.
Fushata do të zgjasë deri më 10 dhjetor, ndërsa gjatë kësaj periudhe do të organizohen aktivitete të ndryshme të përditshme dhe do të shpërndahen materiale sensibilizuese, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe promovimit të një shoqërie pa dhunë.




