Në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, Ekipi Komunal për Mbrojtjen e Fëmijëve organizoi takime informuese me nxënësit e shkollave: “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Daut Bogujevci” dhe Gjimnazi “Hivzi Sulejmani”, me temën e parandalimit të trafikimit me qenie njerëzore.
Në këto takime morën pjesë përfaqësues të Ekipit Komunal për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Komuna, Lindita Dervisholli Prebreza, Shqipe Islami, përfaqësues të Policisë së Kosovës Adem Latifi dhe të Institucionit të Avokatit të Popullit Dafina Peçani.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte vetëdijesimi dhe informimi i nxënësve lidhur me rreziqet dhe pasojat e trafikimit me qenie njerëzore, format e ndryshme të shfrytëzimit, mënyrat e identifikimit të situatave të rrezikshme si dhe masat që duhet të ndërmerren për të parandaluar këto dukuri.
Përmes këtyre aktiviteteve synohet rritja e vetëdijesimit të të rinjve, fuqizimi i njohurive të tyre për sigurinë personale dhe promovimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të mbrojtjes së fëmijëve.

