Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, së bashku me kabinetin e tij, zhvilloi një varg takimesh institucionale në kantonin e Vaud-it dhe në rajonin e Chablais-it.
Në Komunën e Aigle, delegacioni u takua me Kryetarin e Komunës, Grégory Devaud, Prefektin e Distriktit të Aigle, Nicolas Croci Torti, drejtorin teknik të transportit dhe ekipet përkatëse, me të cilët u diskutua për planifikimin urban, hapësirat publike, shërbimet komunale dhe organizimin e administratës.
Gjatë vizitës në Satom SA, delegacioni u mirëprit nga përgjegjësi i rrjetit të ngrohjës, bashkatdhetari Mentor Ilazi dhe pati mundësi të njihet nga afër me modelin e bashkëpunimit ndërkomunal në menaxhimin e mbeturinave dhe shndërrimin e tyre në burim energjie.
Vizita përbën një hap të parë drejt ndërtimit të një bashkëpunimi institucional afatgjatë ndërmjet Komunës së Fushë-Kosovës dhe Komunës së Aigle, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte edhe takimi me bashkatdhetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë në Zvicër, të cilët përmes punës, përkushtimit dhe suksesit të tyre vazhdojnë të jenë një urë e rëndësishme lidhëse mes Kosovës dhe diasporës.
Komuna e Fushë Kosovës mbetet e hapur për bashkëpunim, investime dhe kontributin e mërgatës në zhvillimin e komunës.