Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, së bashku me Drejtoreshën për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm, Pranvera Merovci dhe këshilltaren Vlora Tosuni, me datë 31 gusht 2026, zhvilloi një vizitë zyrtare pune në Komunën e Ulqinit.
Vizita kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në fushën e grumbullimit dhe menaxhimit modern të mbetjeve, mbrojtjes së mjedisit dhe ekonomisë qarkore, ndër të tjera.
Delegacioni i Komunës së Fushë Kosovës vizitoi fillimisht Deponinë Sanitare Rajonale “Mozhura”, ku u njoh nga afër me funksionimin dhe mënyrën e menaxhimit të saj, si dhe me përvojën e Komunës së Ulqinit në këtë sektor.
Në vazhdim, delegacioni zhvilloi takim pune me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe përfaqësues të ndërmarrjeve lokale të grumbullimit të mbeturinave. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet dhe sfidat në grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve në të dyja komunat, si dhe përvojat e reja në këtë fushë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua zgjidhjeve inovative të aplikuara në Ulqin, përfshirë sistemin e kontejnerëve inteligjentë (Smart Containers) dhe konceptin e Qendrës së Ripërdorimit, si modele me interes për zhvillimin e shërbimeve më efikase dhe të qëndrueshme të menaxhimit të mbetjeve.
Gjatë takimit u vlerësua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy komunave, përmes shkëmbimit të ekspertizës, praktikave të mira dhe zhvillimit të aktiviteteve e projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit, menaxhimit të mbetjeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Fushë Kosovës dhe Komunës së Ulqinit, duke e shtrirë atë edhe në fusha të rëndësishme për cilësinë e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve.