Me rastin e shënimit të 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Fushë Kosovës, sot u mbajt Seanca Solemne e Kuvendit Komunal, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë.
Në këtë seancë u vlerësua sakrifica e dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit, duke kujtuar me respekt dhe mirënjohje rrugëtimin e popullit tonë drejt çlirimit. Po ashtu, u theksua rëndësia e ruajtjes së vlerave të lirisë, demokracisë dhe zhvillimit të vazhdueshëm të komunës sonë.
12 Qershori mbetet një datë e veçantë në historinë e Fushë Kosovës dhe të gjithë Kosovës, një ditë krenarie, kujtimi dhe përgjegjësie për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.