Sot, Kryetari i Komunës, Valon Prebreza, priti në takim Drejtoreshën Nacionale të SOS Fshatrat e Fëmijëve, Nezahat Ramdani Salihu, me ç’rast u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit për ofrimin e shërbimeve përmes Programit të Fuqizimit të Familjes në Fushë Kosovë.
Kjo marrëveshje synon forcimin e angazhimit të përbashkët institucional në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve në nevojë, përmes shërbimeve sociale dhe programeve të qëndrueshme mbështetëse.
Në takim morën pjesë edhe të rinjtë që janë në proces të daljes nga kujdesi alternativ, ku u diskutua për mundësitë e mbështetjes nga Komuna në përballimin e sfidave të tranzicionit drejt jetës së pavarur. Fokus i diskutimit ishte rëndësia e krijimit të mundësive konkrete për strehim, punësim, arsimim dhe orientim në jetë për të rinjtë pa përkujdesje prindërore, pas moshës 18-vjeçare.
Në kuadër të kësaj nisme, Kryetari nënshkroi së bashku me të rinjtë edhe deklaratën simbolike të bashkëpunimit “18 vjet + 1 mundësi”, përmes së cilës Komuna shpreh gatishmërinë për t’i mbështetur ata në rrugëtimin drejt pavarësisë dhe integrimit të plotë në shoqëri.
Komuna e Fushë Kosovës mbetet e përkushtuar që, përmes bashkëpunimit të ngushtë me institucionet dhe partnerët, të avancojë shërbimet dhe mbështetjen për fëmijët dhe familjet në nevojë.