Sot, Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, realizoi një vizitë në qendrën Handikos, ku pati mundësinë të shohë nga afër punën, aktivitetet dhe shërbimet që ofrohen për personat me aftësi të kufizuara.
Gjatë kësaj vizite, ai u njoh më detajisht me programet që zhvillohen në këtë qendër, si dhe me sfidat dhe nevojat me të cilat përballen përfituesit dhe stafi i saj në përditshmëri. Kryetari vlerësoi lart përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit të Handikos-it, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm që kjo qendër ka në përkrahjen dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së vazhdueshme për iniciativa të tilla, duke shprehur gatishmërinë e Komunës për të kontribuar në përmirësimin e kushteve dhe zgjerimin e shërbimeve në të ardhmen.
Në fund të vizitës, Kryetari Prebreza falënderoi stafin për punën e tyre të palodhshme dhe u zotua se institucionet komunale do të vazhdojnë të jenë një partner i afërt për Handikos-in dhe për të gjithë përfituesit e saj.



















