Drejtoria për Inspektorat e Komunës së Fushë-Kosovës, gjatë ditës së sotme ka realizuar inspektime në teren në disa zona të qytetit për lirimin e hapësirave publike dhe rregullimin e rendit në trotuare e sipërfaqe të përbashkëta.
Gjatë inspektimeve janë evidentuar raste të bllokimit të hapësirave publike si dhe shfrytëzime të tjera pa autorizim në zona publike.
Në disa raste është kërkuar largimi i menjëhershëm i pengesave, është bërë paralajmërim në vend, dhe janë iniciuar procedurat për trajtim administrativ sipas kompetencave ligjore të Inspektoratit.
“Ne i ftojmë të gjitha bizneset dhe qytetarët që të tregojnë përgjegjësi dhe të mos i zënë hapësirat publike, duke mos penguar lëvizjen e lirë të këmbësorëve, qasjen për persona me aftësi të kufizuara, si dhe sigurinë e përgjithshme në qytet. Ne do të vazhdojmë me inspektime të rregullta dhe në rast të mosrespektimit, do të ndërmerren edhe masa të tjera, përfshirë gjoba, largim të detyrueshëm të pengesave dhe masa të tjera administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi” tha Drejtori për Inspektorat në Komunën e Fushë Kosovës Durim Hajra.
Ai gjithashtu falënderon të gjithë qytetarët dhe bizneset për gatishmërinë që treguan gjatë këti aksioni.
Komuna mbetet e përkushtuar ndaj qytetarëve për një jetë sa më të mirë.







